Disa tema themelore të doktrinës së Kishës së Zotit Ministrore të Jezu Krishtit Ndërkombëtare

Hyrja

Kisha e Zotit Ministrore e Jezu Krishtit Ndërkombëtare lindi në vitin 1972, si kishë e krishterë, praktikuese e Biblës, e udhëhequr nga Fryma e Shenjtë, në të cilën shfaqen dhuntitë frymërore, në veçanti dhuntia e profecisë. 

Në profecinë e parë të dhënë nga Fryma e Shenjtë nëpërmjet motrës Maria Luisa, në po të njejtën vit, drejtuar bashkëshortit të saj të atëhershëm, Luis Eduardo Moreno, Perëndia bëri ndër të tjera premtimet e mëposhtme:

  “Nga kjo vathë e vogël do të bëj një vepër shumë të madhe ku do të shfaqem, do jap begati dhe do të sjell shumë shpirtra; do t’ju mësoj doktrinën dhe do t’ju përdor, do t’ju jap të gjitha dhuntitë frymërore dhe do t’ju mbështes; vepra ime do të rritet në mbarë botën, unë do ta ngre, unë vetë do ta drejtoj dhe udhëheq.”    

   “Kudo ku gjendet një shpirt i sinqertë do ta sjell në këtë vend, do t’i jap paqe, gëzim dhe lumturi. Disa do të duan t’ju bashkohen, do të vijnë nga kisha të tjera dhe do të bashkohen me Kishën Time.”   

   “Çdo njeri që hyn në vendin tim do të bekohet shpirtërisht dhe materialisht, shumë njerëz do të kthehen tek unë, unë do t'ju mësoj doktrinën time, rrugën time të shpëtimit; do t'ju jap zbulesa dhe do të mbështes fjalët tuaja.”

      “Fryma im do t'ju udhëheqë dhe do t'ju mësojë të gjitha gjërat.”

Që prej asaj kohe e deri më sot, të gjitha këto premtime janë përmbushur, njerëzit kanë pasur mundësinë të dëgjojnë Perëndinë nëpërmjet dhuntisë së profecisë, po ashtu kanë pasur përvoja të mrekullueshme në të cilat Ai i drejton gjithashtu përmes vegimeve dhe ëndrrave, zbulesave të Perëndisë, dhe dhuntisë së dallimit të frymërave. 

Bibla thotë në 2 Korintasve 3:17 "... atje ku është Fryma e Zotit, atje ka liri" dhe ky varg përmbushet në Kishë, sepse ata që marrin pjesë mund të konfirmojnë se është vetë Zoti ai që vepron në jetët e tyre dhe jo njerëzit. Prandaj, nuk bëhet asnjë presion apo përndjekje, njerëzit nuk detyrohen për asgjë. Përkundrazi, me liri, vullnetarisht dhe pak e nga pak, me nderim, dashuri dhe frikë ndaj Perëndisë, vetë Zoti fillon të bëjë veprën e Tij në çdo besimtar; Ai i mëson, i shkruan urdhërimet e Tij në zemrat e tyre, gjë që sjell shumë bekime, dhe personi që beson fillon të jetojë një jetë të re.

Ata që marrin pjesë në Kishën e Zotit Ministrore të Jezu Krishtit Ndërkomëtare gëzojnë fuqinë e Perëndisë në zemrat e tyre. Ata ndryshojnë dhe fillojnë të jetojnë një jetë të re, largohen nga veset dhe defektet e tyre. Bekohen në aspektin material të jetës së tyre, por mbi të gjitha, mbushen me gëzim, besim, lumturi dhe paqe–gjëra që vetëm Zoti mund t’i japë.  

Pas më shumë se katër dekadash të përjetimit të kësaj shfaqjeje, është e mrekullueshme të jesh dëshmitar i rritjes së Kishës. Sot ka rreth 1000 kisha në mbarë botën, në të cilat qindra mijëra njerëz gëzojnë Ungjillin e plotë, Mbretërinë e Qiejve, Perëndinë e gjallë që udhëheq popullin e vet.

Ekzistenca Perëndisë Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë

Në Kishën e Zotit Ministrore të Jezu Krishtit Ndërkombëtare predikohet ekzistenca e Perëndisë, Perëndia Krijues, ai që ka krijuar qiejt, tokën dhe çdo gjë që ndodhet në të. Ekzistenca e Perëndisë që nuk ka fillim dhe as fund, i cili është i Pari dhe i Fundit, Alfa dhe Omega; Perëndisë për të cilin flet Bibla, libri i frymëzuar nga vetë Ai nëpërmjet Frymës së tij të Shenjtë, që është përpiluar duke përdorur gojën dhe penën e shërbëtorëve të Perëndisë ndër vite, dhe ka mbërritur sot në ditët tona.

Thotë Shkrimi në Ligjin e Përtërirë 6:  

  4 Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.

Të njëjtit Perëndi i referohet edhe Zoti Jezu Krisht, duke qenë një me Të, në librin e Markut 12:

  29 Dhe Jezusi u përgjigj: ''Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot".

 

Këto i referohen të njëjtit Perëndi, Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, dhe ne besojmë se Ai është dhe se Ai ekziston dhe se Ai është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë, siç thuhet në Hebrenjtë 11:

6 Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë atë.

Që në vargjet e para të Biblës, i njëjti Perëndi i bëri njerëzit të kuptojnë se pluraliteti dhe hyjnia e tij ishin të dukshme, kur tregon se të tre ishin të pranishëm në krijimin e të gjitha gjërave. Kjo thuhet që në kapitullin e parë të Zanafillës:

26 Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".

Ose kur me synimin për të zhbërë pretendimet e njerëzve në tokën e Babelit, Ai u shfaq atje, duke ngatërruar gjuhën e qenieve që kishin filluar punën, siç tregohet në Zanafilla 11:

6 Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t'i penguar ata të përfundojnë atë, që kanë ndërmend të bëjnë. 7 Eja, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit".

Por një e vërtetë e tillë e çmuar bëhet e dukshme edhe në Dhjatën e Re, kur Apostulli Pal kuptoi Madhështinë e Shumë të Lartit Perëndi, dhe i referohet Atij në letrën e parë drejtuar Korintasve, në kapitullin 12, duke thënë se edhe pse Ai është një, kryen larmi veprimtarish.

4 Ka larmi dhuntish, por është i njëjti Frymë. 5 Ka edhe larmi shërbimësh, por është i njëjti Zot. 6 Dhe ka larmi veprimtarish por është i njejti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë.

Ai është Një Perëndi i vetëm, por Ai është Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë.

 

Ati

Biri

Fryma e Shenjtë

Ati

Duke iu referuar Atit, Bibla–për të cituar vetëm një nga shembujt e shumtë–mrekullisht e quan, me poezi dhe hijeshi, i Lashti i Ditëve, në Danieli 7:

 9 Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër; froni i tij ishte si flokët e zjarrit dhe rrotat e tij si zjarr përvëlues.

Ashtu si vegimi i Isaias, i cili në kapitullin 6 na tregon momentin në të cilin mori thirrjen nga Perëndia. Isaia nuk e shpalli veten profet të Zotit, por ishte Perëndia ai që e veçoi; ishte vendimi i Perëndisë për të vendosur fjalët e Tij te Isaia.

 1 Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. 2 Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. 3 Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: "I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij". 4 Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym. 5 Atëherë unë thashë: "I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive".

Ky është Perëndia, Zoti është emri i tij, Zoti i Ushtrive, i Fuqishmi në betejë, i Forti, Perëndia sublim, i vetmi Perëndi dhe nuk ka asnjë të ngjashëm me të, siç e shpreh Isaia në kapitullin 44:

8 Mos u trembni, mos kini frikë! A nuk ta kam shpallur, vallë, dhe nuk ta kam deklaruar prej kohe? Ju jeni dëshmitarë të mi. A ka vallë një Perëndi përveç meje? Nuk ka Shkëmb tjetër, nuk njoh tjetër të tillë.

Biri

Në fillim, me Perëndinë ishte Biri, në krijimin e gjithë asaj që sytë tanë shohin sot. Në Zanafilla 1 kjo vërehet, kur i referohet shpirtërisht Dritës që më vonë do të bëhej mish në formën e Zotin tonë Jezu Krisht, thuhet:

3 Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë. 4 Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.

Nuk i referohet këtu dritës në aspektin fizik që vjen nga dielli, pasi për këtë flitet më tej në vargun 18 të të njëjtit kapitull, duke përdorur këto fjalë:

 

18 për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.

 

Dhe kjo vërtetohet kur te Gjoni 1, Bibla po ashtu thekson:

1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. 2 Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. 3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjalës), dhe pa atë nuk u bë as edhe një nga ato, që janë bërë. 4 Në të ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve. 5 Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

Bëhet fjalë pra për një Plan të vendosur nga Perëndia, përpara themelimit të botës, kur shpirtërisht midis Atit dhe Birit, ishte rënë dakord për rolin që do të kishte secili; një pakt midis tyre për të na dhënë mundësinë e shpëtimit, e jetës së përjetshme–sipas Veprës së Shpenguese të Krishtit në kryqin e Kalvarit. 

I gjithë kapitulli 53 i librit të profetit Isaia i kushtohet Veprës Shpenguese të Zotit tonë Jezu Krisht, të shpallur atyre që e dëshironin dhe të plotësuar tek ata që me frikë nga Zoti e panë dhe besuan në mëshirën e Shumë të Lartit nëpërmjet Shpëtimtarit.

1 Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit? 2 Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. 3 I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak. 4 Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. 5 Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. 6 Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. 7 I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën. 8 U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim? 9 Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij.  10 Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. 11 Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. 12 Prandaj do t'i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

Dhe gjithashtu në Psalmin 40 e konfirmon Fjala e shkruajtur e Perëndisë:

7 Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

 

Kështu pra, duke qenë Ai që është, i vetëmlinduri i Atit, e dha veten për ne, për të na mundësuar këtë Shpëtim kaq të madh siç edhe përshkruhet në Ungjillin sipas Gjonit në kapitullin 3

16 Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. 17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet me anë tij. 18 Ai që beson në të nuk gjykohet, por ai që nuk beson, tashmë është gjykuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë. 19 Dhe gjyqi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. 20 Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij; 21 por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, se janë bërë në Perëndinë''.

Nëpërmjet Tij ka shpëtim, siç thamë, por për të marrë një bekim të tillë nga Zoti, është e nevojshme të besosh në Të, t’i besosh Atij, por me të vërtetë, edhe pse mund të duket e thjeshtë, nuk është aq e thjeshtë. Prandaj, nuk mund të supozohet se të gjithë do të arrijnë shpëtimin, sepse nëse do të ishte kështu dhe nëse Shumë i Larti nuk do t'i refuzonte ata që kanë bërë të këqija, dhe këta të fundit, duke qenë të privuar nga Lavdia e Perëndisë, nëse do të merrnin të njëjtin shpërblim të jetës së përjetshme dhe jo dënimin e përjetshëm, Bibla nuk do të thoshte atë që sapo u citua këtu.

Pa dyshim, Zoti dëshiron shpëtimin e qenieve njerëzore, por nga të gjithë njerëzit, shpëtimin do ta arrijnë ata që bëjnë të mirën, që janë bijtë e vërtetë të Zotit, të cilët largohen nga kjo botë duke qenë të aprovuar dhe konfirmuar si pjesë e Kishës së Zotit Sovran dhe duke qenë pjesëmarrës aktivë të Dasmës së Qengjit. 

Thënë kjo, nuk mund të hidhet poshtë pritja e dënimit të përjetshëm, gjë të cilën që nuk e hedh poshtë as Shkrimi i Shenjtë, por disa, gabimisht e besojnë këtë. Dënimi i përjetshëm nuk është vetëm për djallin, ekzistenca e të cilit është po ashtu e dukshme, por edhe për ata që e ndihmojnë dhe për të gjithë ata që praktikojnë veprat e pafrytshme të errësirës, ​​prej të cilave ata që kanë frikë dhe e duan Perëndinë duhet të largohen.

Prandaj Zoti Jezu Krisht, në Mateu 25, bën qartësisht dallimin midis deleve dhe dhive, midis atyre që janë në të djathtë dhe atyre që janë në të majtë, midis atyre që do të marrin ndëshkimin e përjetshëm dhe atyre që do të arrijnë jetën e përjetshme. 

 31 ''Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, dhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. 32 Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do  t'i ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë. 33 Dhe delet do t'i vërë në të djathtë të tij dhe cjeptë në të majtë. 34 Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtë të tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; trashëgoni mbretërinë që u bë gati për ju që nga themelimi i botës. 35 Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, 36 isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizituat, isha në burg dhe erdhët tek unë". 37 Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë? 38 Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm? 39 Dhe kur të pamë të sëmurë ose në burg dhe erdhëm te ti?". 40 Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t'u thotë: "Në të vërtetë po ju them: për aq sa ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua. 41 Atëherë do t'u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij. 42 Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë, 43 isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni". 44 Atëherë edhe ata do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të sëmurë ose në burg dhe nuk të shërbyem?". 45 Atëherë do t'u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: për aq sa nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, nuk ma keni bërë as mua". 46 Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme''.

Fryma e Shenjtë

Prej Tij, pra, prej Zotit tonë Jezu Krisht, vjen premtimi i ardhjes së Frymës së Shenjtë, Ngushëlluesit, siç thuhet te Gjoni 15:

26 Por kur të vijë Ngushëlluesi, që unë do t'ju dërgoj prej Atit, Fryma e së Vërtetës, që del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua.

Megjithatë, bëhet fjalë për një zotim që ishte në planet e Perëndisë dhe për të cilin ishte rënë dakord në Besëlidhjen e Re, që në këtë mënyrë të përmbushet në Kishë, në këto kohë, premtimi i bërë nëpërmjet profetit Joel në kapitullin 2

28 Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime.

Ky premtim u jetësua në festën e Rrëshajave, kur Zoti përmbushi kështu fjalën e dhënë, sepse gjithmonë kur Perëndia flet, përmbush atë që thotë. Fryma e Shenjtë zbriti me fuqi midis të 120 burrave dhe grave që ishin mbledhur në sallën e sipërme, sipas asaj që thotë Shkrimi në kapitullin 2 të Veprave të Apostujve:

1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend. 2 Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë, ku ata po rrinin. 3 Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. 4 Kështu, të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin.

Bëhet kështu e dukshme dhe e shëndritshme Vepra e Lavdishme e Frymës së Shenjtë. Është e vërtetë se Perëndia kishte vepruar si Perëndi në momente të historisë së njerëzimit dhe të kishës, por që prej asaj dite, puna e Tij mes njerëzve mori një tjetër kuptim.

Fryma e Shenjtë bëhet i dukshëm në Kishë, kryesisht duke e udhëhequr atë, sepse nuk janë njerëzit që drejtojnë veprën e Zotit, por Ai vetë, vetë Perëndia tregon se Kisha është e Tij, e Krijuesit dhe jo e krijesës.

Kjo është arsyeja përse në librin e Romakëve 8 flitet pikërisht për këtë udhëheqje:

14 Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë, janë bij të Perëndisë.

Prania e Tij mes nesh, prania e Tij në Kishë, dëshmon të vërtetën e Veprës së Zotit tonë Jezu Krisht, për rrjedhojë, ekzistencën e vetë Perëndisë, duke qenë Fryma e Shenjtë, një Perëndi i vetëm me Atin dhe Birin, siç shihet në 1 Gjonit 5:

6 Ky është ai që erdhi me anë të ujit e gjakut, Jezu Krishti; jo vetëm me anë të ujit, por me anë të ujit e me anë të gjakut. Dhe Fryma është ai që dëshmon, sepse Fryma është e vërteta. 7 Sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një.

Duke qënë se Kisha udhëhiqet, drejtohet dhe qeveriset nga Zoti, nëpërmjet Frymës së Tij të Shenjtë, ka shumë funksione që Ai kryen sot mes nesh dhe që bëhen të dukshme çdo ditë, në vende të ndryshme të botës.

Për shembull, pagëzimi me Frymën e Shenjtë, i cili është në të njëjtën kohë provë e pakundërshtueshme e ekzistencës dhe ardhjes së parë të Zotit Jezu Krisht, siç e deklaroi Gjon Pagëzori, në kapitullin 3 të Mateut:

11 Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t’i mbaj sandalet; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.

Ky bekim dhe realitet i marrjes së pagëzimit me Frymën e Shenjtë, që do të thotë se Zoti, nëpërmjet Frymës së tij, vjen për të banuar në zemrën tonë. Po ashtu, do të thotë se ne vlerësojmë vënien e duarve për ardhjen e këtij bekimi, realitet ky që është i pranishëm tanimë në Kishë. Me rëndësi është gjithashtu të kemi parasysh atë që thekson kapitulli 8 i Veprave të Apostujve:

14 Dhe apostujt në Jeruzalem kur dëgjuan se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, u dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin. 15 të cilët, si zbritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë, 16 sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezus. 17 Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata merrnin Frymën e Shenjtë.

Kësaj të vërtete të bukur i referohet edhe Apostulli Pal, në letrën e tij drejtuar Romakëve, në kapitullin 5, duke përdorur terma më poetikë, por që në fund të fundit tregojnë të njëjtin bekim për të cilin kemi folur deri tani.

5 Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.

Fryma e Shenjtë përveçse banon brenda nesh, na lejon të jetojmë të qenurin të mbushur me Të, ashtu siç ndodhi me Apostullin Pjetër, pasi ai mori Frymën e Shenjtë, Shkrimi thotë se ai u mbush me Frymën e Shenjtë në momentin specifik kur kishte nevojë për të folur para krerëve të popullit që i kishin marrë në pyetje, për t'u treguar atyre mrekullitë e Zotit, planet dhe qëllimet e tij. Kjo shihet në librin e Veprave të Apostujve, në kapitullin 4:

8 Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: ''Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit! 9 Nëse ne sot gjykohemi për një bamirësi që iu bë një njeriu të sëmurë, se në cilën fuqi u shërua ai, 10 le ta dini të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se në emër të Jezu Krishtit nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekurish; me anë të tij ky njeri qëndron para jush shëndoshë e mirë.

Fryma e Shenjtë është gjithashtu përgjegjës për të siguruar që predikimi i Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht në Kishë të bëhet i dukshëm, jo ​​vetëm me fjalët që mund të thuhen për të, qoftë nga një foltore apo nëprmjet shembullit të mirë që japin bijtë e Perëndisë në përditshmëri, por po ashtu që një predikim i tillë të shoqërohet në mënyrë të përhershme me dëftimin e Frymës dhe Fuqisë. Kjo mund të shihet në 1 Thesalonikasve 1:

5 sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymën e  Shenjtë, dhe me shumë siguri; siç e dini si jemi sjellë në mes tuaj për shkakun tuaj.

Gjithashtu, 1 Korintasve 2, thotë si më poshtë:

4 Dhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë mbushamendëse nga urtësia njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë.

Pasi pagëzimi me Frymën e Shenjtë vjen te njeriu, vetë Fryma e Shenjtë zgjon dhe fillon të aktivizojë dhuntitë frymërore që Perëndia ka vendosur te secili person. Përveç të folurit në gjuhë të tjera, që siç e përmendëm, është shenja e pagabueshme e marrjes së një bekimi të tillë, mund të ndodhë që në të njëjtin moment të bëhen të dukshme edhe dhunti të tjera frymërore, si dhuntia e profecisë, siç shihet në kapitullin 19 të Veprave të Apostujve. Gjithashtu mund të ndodhë, që shfaqje të tilla të ndodhin më vonë, në momente të ndryshme të jetës së besimtarëve.

5 Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus. 6 Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan. 7 Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.

Edhe pse ajo që është thënë deri më tani për Frymën e Shenjtë është një e vërtetë e bukur, mbetet ende shumë pak, pasi në dritën e Biblës dhe të doktrinës, shembujt janë të panumërt.

Sidoqoftë, është e nevojshme të përmendim rëndësinë e Veprës së Lavdishme të Frymës së Shenjtë në jetën tonë, i cili është duke bërë mrekulli, na ndihmon të ndryshojmë mënyrën tonë të keqe të të jetuarit dhe na transformon zemrat, në mënyrë që t'i pëlqejmë Perëndisë në çdo gjë, dhe ta duam atë me zemër të sinqertë. Mjafton të përmendim atë që thekson Bibla në librin e Titit kapitulli 3:

4 Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë dhe dashuria e tij për njerëzit, 5 ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë.

Bibla si Fjala e Shkruar e Perëndisë

Një pikë tjetër thelbësore në Kishë është të vlerësohet dhe të çmohet Bibla, si Dhjata e Vjetër ashtu dhe Dhjata e Re, si Fjala e Shkruar e Perëndisë. Ne e kuptojmë se ajo u frymëzua nga Perëndia dhe se pavarësisht se cilët ishin njerëzit që shkruan secilin libër fizikisht përgjatë kohërave, ekziston vetëm Një autori intelektual i të gjithë Shkrimeve: Vetë Perëndia.

Ne pranojmë mësimin që Apostulli Pal i dha Timoteut lidhur me këtë në kapitullin 3 të Letrës së tij të Dytë:

16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.

Në këtë pikë vlen të theksohet edhe mënyra se si Vepra e Lavdishme e Frymës së Shenjtë shfaqet në lidhje me Biblën, gjë që u theksua qartë nga Zoti ynë Jezu Krisht, i cili, në librin e Gjonit kapitullin 16, mësoi:

13 Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, do t'ju prijë në gjithë të vërtetën, sepse nuk do të flasë prej vetes, por do të flasë gjitha atë që do të dëgjojë dhe do t'ju kumtojë ato që do vijnë.

Duke lënë të kuptuar se duke qënë se ata e kishin fjalën e shkruar të Perëndisë, Ai vetë, si autor i saj do ta interpretojë me autoritet dhe do t’i sqarojë gjithë konceptet e saj dhe doktrinën kujtdo që Ai dëshiron t’ia zbulojë, me anë të Frymës së Shenjtë, i cili do të shfaqet dhe do ta udhëheqë popullin e Tij në çdo të vërtetë.

Në këtë mënyrë, është Fryma e Shenjtë që vepron te çdo besimtar, ngulit urdhërimet e Perëndisë në jetët tona dhe iu jep jetë. 

Prandaj, gjejmë përmbushjen në Kishë të asaj që Perëndia ka thënë që në kohërat e lashta në kapitullin 31 të Jeremiasë:

33 "Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve", thotë Zoti: "Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im.

Një temë shihet të përshkruhet me një gjuhë të bukur, kur Perëndia i Qiejve, në Psalmin 119, lartëson në shumë vargje vlerën e urdhërimeve të Perëndisë dhe ndikimin e tyre në jetën e çdo besimtari, kur ai apo ajo mendon vazhdimisht për to dhe gjen kënaqësi në urdhërimet e Perëndisë.

97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. 98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. 99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. 100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.

Këto janë, pra, provat e asaj që apostulli Pal mësoi në librin 2 të Korintasve, kur shpjegoi se Fryma e Shenjtë i jep jetë shkrimit tek ne, duke e kthyer në një realitet në jetën tonë, vargje të cilat i gjejmë edhe në pjesë të tjera të Biblës, por edhe në Psalmin 119:

49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të shpresojë. 50 Ky është ngushëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë. 92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim. 93 Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën. 94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.

 

Ekzistenca dhe Vlera e Shërbesës së Thirrur dhe të Zgjedhur nga Perëndia

Apostulli Pal iu drejtua Kishës për të folur dhe theksuar rëndësinë dhe vlerën e themelit të vendosur nga Perëndia nëpërmjet apostujve dhe profetëve dhe mënyrën se si Zoti, nëpërmjet tyre, ndërtoi Kishën e Tij. Kjo shihet në kapitullin 2 të Efesianëve:

19 Kështu, pra, nuk jeni më të huaj e bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të shtëpisë së Perëndisë, 20 të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes.

Në të tjera vargje, pak më tej në kapitullin 4, ai e thekson këtë si më poshtë:

11 Dhe ai dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, 12 për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit.

Këto vargje jo vetëm që theksojnë ekzistencën e këtyre shërbesave, por edhe rëndësinë dhe madhështinë e tyre për vetë kishën.

Është e nevojshme të saktësohet se është një metodë e qëllimshme nga ana e Perëndisë, në të cilën Ai vetë zgjedh një person, një zemër, për të drejtuar dhe udhëhequr përpara njerëzve. 

Të panumërt janë shembujt që gjejmë në Dhjatën e Vjetër, që tregojnë sesi Perëndia Krijues nëpërmjet Abrahamit, Isakut, Jakobit apo Jozefit, drejtonte dhe shfaqej te njerëzit.

Por edhe më vonë gjërat nuk ishin ndryshe. Përkundrazi, ata që erdhën më pas ishin Moisiu, Jozueu, Gideoni, Samsoni, Debora dhe shumë gjyqtarë, profetë apo mbretër të tjerë, të cilët kishin misionin të qeverisnin, drejtonin apo orientonin të zgjedhurit e Perëndisë.

Në Dhjatën e Re shohim se gjërat ishin po ashtu njësoj, sepse Zoti, Perëndia ynë, zgjodhi Pjetrin për të kryesuar shërbesën përpara judenjve, dhe në të njëjtën kohë, Ai bëri të njëjtën gjë me Palin, në mënyrë që ai të kryente të njëjtën shërbesë para johebrenjve.

Lidhur me këtë, apostulli Pal tregoi sa vijon në 1 Timoteut kapitulli 2:

7 për të cilin unë u vura predikues dhe apostull (them të vërtetën në Krisht, nuk gënjej), mësues i johebrenjve në besim dhe në të vërtetë.

Dhe duke u thelluar edhe më tej në këtë çështje, kapitulli 2 i Galatasve mëson:

7 Madje, përkundrazi, duke parë se mua m’u besua ungjilli për të parrethprerët, sikurse Pjetrit për të rrethprerët, 8 (sepse ai që kishte vepruar në Pjetrin për apostullim te të rrethprerët, kishte vepruar edhe në mua për paganët).

Ekzistenca e apostujve, profetëve, ungjilltarëve, pastorëve dhe mësuesve është e qartë, ashtu siç ishte edhe në atë kohë. Madje, në kisha si ajo e Korintit, Shkrimi thotë se atyre nuk u mungonte asnjë dhunti frymërore. Megjithatë, gjithmonë kishte një person që spikaste, dikë të cilin Perëndia e kishte thirrur për të udhëhequr popullin.

E njëjta gjë ndodh edhe në ditët tona. Shfaqja e Perëndisë është e plotë në Kishë. Fryma e Shenjtë e udhëheq atë, dhe ne besojmë dhe jetojmë të njëjtin themel, praninë e apostujve, profetëve dhe shërbesave të tjera. Por mes tyre—ashtu siç ka vepruar që në fillim—Perëndia zgjedh dikë. Ai e bën këtë vetë. Ai zgjedh zemrën e dikujt për të udhëhequr dhe drejtuar rrugëtimin e Kishës. Këtë thirrje, Perëndia i Plotfuqishëm ia besoi Motrës Maria Luisa Piraquive, Shërbëtores së Zotit.

Ka shumë shembuj të thirrjes nga ana e Perëndisë. Për shembull, kur Zoti i tha Abrahamit të linte vendin e tij, shtëpinë e prindërve të tij, dhe të ndiqte rrugën që Ai do t'i tregonte. Në librin e Zanafillës 12, përshkruhet kjo përvojë dhe sesi patriarku nuk dyshoi në asnjë moment, por iu bind zërit të Perëndisë.

1 Por Zoti i tha Abramit: "Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj. 2 Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. 3 Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës". 4 Atëherë Abrami u nis, siç i kishte thënë Zoti, dhe Loti shkoi me të. Abrami ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u nis nga Harani.

vonë, në 1 Samuelit 3, shohim mënyrën e mrekullueshme dhe këmbënguljen me të cilën Perëndia i bëri thirrjen profetit Samuel:

4 Atëherë Zoti thirri i Samuelin që u përgjegj: "Ja ku jam!". 5 Pastaj vrapoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Ai u përgjegj: "Unë nuk të kam thirrur, shko të flesh". Kështu ai vajti të flerë. 6 Zoti e thirri përsëri Samuelin. Dhe Samueli u ngrit, shkoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Por ai u përgjegj: "Biri im, unë nuk të kam thirrur; shko të flesh". 7 (Por Samueli nuk e njihte ende Zotin, dhe fjala e tij nuk i ishte shfaqur ende). 8 Zoti e thirri përsëri për të tretën herë Samuelin. Kështu ai u ngrit, shkoi tek Eli dhe i tha: "Ja ku jam, se ti më thirre". Atëherë Eli kuptoi që Zoti e thërriste të riun. 9 Prandaj Eli i tha Samuelit: "Shko e bjer dhe, në qoftë se të thërret prapë, do të thuash: "Fol, o Zot, sepse shërbëtori yt të dëgjon"". Kështu Samueli vajti të shtrihet në vendin e tij. 10 Pastaj Zoti erdhi, u vendos aty afër dhe thirri si herët e tjera: "Samuel, Samuel!". Samueli u përgjegj: "Fol, sepse shërbëtori yt të dëgjon". 11 Atëherë Zoti i tha Samuelit: "Ja, jam duke bërë në Izrael një gjë që do të shungullojë veshët e kujtdo që ka për ta dëgjuar.

Ose ashtu  siç iu zbulua fjala e Perëndisë profetit Jeremia, në librin që mban emrin e tij në kapitullin 1:

4 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke më thënë: 5 "Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve".

Edhe kur apostulli Pal po i tregonte mbretit Agripa për përvojën që pati gjatë takimit të tij të parë me Zotin tonë Jezu Krisht, ai theksoi se nuk ishte i pabindur ndaj vegimit nëpërmjet të cilit u thirr, dhe e mori menjëherë në konsideratë duke iu përgjigjur Perëndisë: “Çfarë do që unë të bëj?” Ai e përshkruan këtë ngjarje në Veprat e Apostujve 26:

19 Prandaj, o mbret Agripa, unë nuk u bëra i pabindur ndaj vegimit qiellor. 20 Por në fillim atyre në Damask, pastaj në Jeruzalem, në mbarë krahinën e Judesë dhe kombeve, u kam shpallur të pendohen dhe të kthehen te Perëndia, duke bërë vepra të denja pendimi.

Prandaj, falë ekzistencës së thirrjes nga Perëndia i Plotfuqishëm, falë faktit që Perëndia i fuqishëm zgjedh Shërbëtorin ose Shërbëtoren e Tij, Perëndia mbështet atë person, dhe për pasojë, begatia, bekimet e Perëndisë dhe rritja e Kishës bëhen të padiskutueshme.

Roli i gruas në Kishë

Vlen të përmendet se si konceptohet roli i gruas në Kishë. Bibla e provon në shumë pasazhe se edhe në kohët e lashta, gratë kanë ushtruar funksione në qeverisje dhe më vonë kanë kryer funksione shumë përfaqësuese në Kishë.

Dhjatën e Vjetër, gratë u caktuan së paku si gjyqtare mbi popullin e Izraelit dhe si profetesha. Debora dhe Huldah janë raste të përmendura në Shkrimet e Shenjta–përkatësisht në Gjyqtarët 4:4 ose në 2 Mbretërve 22:14.

4 Në atë kohë gjyqtare e Izraelit ishte një profete, Debora, gruaja e Lapidothit. 5 Ajo e kishte zakon të ulej nën palmën e Deboras, midis Ramahut dhe Bethelit, në krahinën malore të Efraimit, dhe bijtë e Izraelit vinin tek ajo për të kërkuar të drejtën.

14 Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shalumit të Tikvahut, që ishte i biri i Harahsit, ruajtësit të rrobave, (ajo banonte në Jeruzalem, në lagjen e dytë) dhe folën me të.

Ungjill shihet qartësisht dhe me vendosmëri se Zoti, Perëndia ynë, nuk i jep rëndësi kushteve sociale të një personi, shtresës shoqërore apo gjinisë së tij. Ai shikon vetëm  zemrën e njeriut kur vendos se kush do t’i shërbejë Atij për të kryer këto funksione. Kjo është arsyeja pse në kapitullin 3 të Galatasve, Bibla thotë kështu: 

26 sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin Jezus. 27 Sepse sa veta u pagëzuat në Krishtin, Krishtin keni veshur. 28 Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.

Për më tepër, apostull Pal bëri një kërkesë të veçantë në librin e Romakëve, kapitulli 16, lidhur me motrën Febe, e cila punonte si dhjake në kishën e Kenkreas, duke na lënë të kuptuar se ajo kishte shumë dhunti dhe funksione shpirtërore në Kishë.

Por ai gjithashtu theksoi se kishte edhe gra të tjera në Ungjill, ai përmend Prishilën apo Marien në vargjet pasuese të së njëjtës letër:

3 U bëni të fala Prishilës dhe Akuilës, bashkëpunëtorëve të mi në Krishtin Jezus, 6 Të fala Marisë, e cila u mundua shumë për ne. 12 U bëni të fala Trifenës dhe Trifozës, të cilat mundohen në Zotin. Të fala Persidës së dashur, e cila është munduar shumë në Zotin. 15 Të fala Filologut, Julisë, Nereut dhe motrës së tij Olimpës, dhe gjithë shenjtorëve që janë me ta.

o gra–Trifena, Trifoza, Persida, Julia dhe motra e Nereut–nuk do të ishin shërbëtore të Perëndisë që vinin duar, jepnin profeci, mësonin doktrinën apo kryenin shërime, midis shumë funksionesh të tjera, atëherë apostulli Pali nuk do t’i kishte përmendur ato në letrën e tij.

Një Kishë Universale për të Gjithë

Le të kujtojmë edhe një herë pasazhin që përmendëm më sipër, në të cilin Apostulli Pal, duke iu drejtuar Kishës së Galatisë, në kapitullin 3, shpjegoi se nuk kishte asnjë lloj dallimi apo diskriminimi lidhur me aksesin e njerëzve në Ungjillin e Plotë të Mbretërisë së Qiellit.

26 sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin Jezus. 27 Sepse sa veta u pagëzuat në Krishtin, Krishtin keni veshur. 28 Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.

Thënë ndryshe, jo vetëm që është e qartë se dyert e Kishës duhet të jenë të hapura për burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë dhe se nuk ka vend për anësi bazuar në besimet e mëparshme fetare, ngjyrën e lëkurës, komunitetin të cilit i përkasin, vendin apo origjinën e tyre, gjendjen ekonomike, aftësitë fizike apo intelektuale, ideologjitë, mënyrën e të menduarit apo orientimin seksual. Për të gjithë, pa përjashtim, është mundësia për t’u afruar me Besimin Fetar në Krishtin Jezus, në Frymën e Shenjtë, në Atin, në të Vetmin Perëndi të Vërtetë.

Le të kujtojmë se sakrifica e Zotit në kryqin e Kalvarit arriti të heqë atë ndarje që ekzistonte më parë, për shkak të së cilës po ashtu njerëzimi u përjashtua nga mundësia për të qenë populli i Perëndisë, siç përmendet në librin e Efesianëve 2:

13 Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit. 14 Sepse ai është paqja jonë, ai bëri nga dy një dhe shembi murin e mesit të ndarjes,

Prandaj, cilado qoftë gjendja jonë, Kisha është Universale për të Gjithë në këto kohë, falë Veprës së Zotit Jezus, sakrificës së tij unike dhe të përsosur, dhe falë marrëdhënies së drejtpërdrejtë të Perëndisë me besimtarët, gjë që bëhet e dukshme falë Thirrjes dhe Mbështetjes nga Perëndia.

Na takon secilit prej nesh, pra, të shfrytëzojmë apo jo këtë mundësi, të vlerësojmë atë që Perëndia bën mes nesh, të përgatitemi për Të dhe t'i përkushtohemi Atij, t'i hapim dyert e zemrës sonë thirrjes së Zotit, siç thuhet edhe në librin e Zbulesës 3. Le të kemi veshë për të dëgjuar dhe le të dëgjojmë.

20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap derën, do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.

Pagëzimi në Ujë

Ne besojmë në doktrinën e pagëzimit në ujë, pasi është një nga urdhërimet me kuptim shumë të thellë shpirtëror, të cilit iu referua vetë Zoti Jezus në kapitullin 28 të Mateut:

19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjithë kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,  20 duke i mësuar të mbajnë të gjitha sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen''.

Çdo besimtar duhet të ketë aftësi dhe pjekuri të mjaftueshme për të marrë vendimin për t'u pagëzuar në ujë. Zoti, në librin e Markut 16, përmend se është e nevojshme të besosh, prandaj një foshnjë e porsalindur apo një fëmijë nuk i nënshtrohen këtij pagëzimi, duke qënë se nuk janë ende në gjendje të kuptojnë saktësisht dimensionin e asaj që do të përjetonin.

16 ai që beson dhe pagëzohet, do të shpëtohet; por ai që nuk beson, do të dënohet.

Bekimi i fëmijëve, sipas 1 Korintasve 7, bëhet nga Perëndia, në bazë të përkushtimit të prindërve ndaj Perëndisë, derisa ata fillojnë të jenë përgjegjës përpara Perëndisë dhe të kenë pjekurinë e nevojshme për të besuar në Krisht.

14 sepse burri jobesimtar është shenjtëruar nëpërmjet gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar nëpërmjet burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; por kështu janë të shenjtë.

Në lidhje me këtë, ajo që duhet bërë në Kishë është të ndiqet shembulli i Zotit tonë Jezus, i cili që fëmijë u soll në tempull për t'u paraqitur. Këtë pasazh e gjejmë në kapitullin 2 të Lukës:

25 Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; ky njeri ishte i drejtë dhe i devotshëm dhe po priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të. 26 Dhe atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të shihte Krishtin e Zotit. 27 Ai pra, shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, pasi prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji, 28 ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:

Apo edhe kur vetë Jezu Krishti paraqiti disa fëmijë përpara Perëndisë, në librin e Mateut 19:

13 Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.14 Por Jezusi tha: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse për të tillë është mbretëria e qiejve''. 15 Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.

Përmes veprimit fizik të pagëzimit në ujë, besimtari vdes, varroset dhe ringjallet simbolikisht së bashku me Zotin tonë Jezus për një jetë të re. Kjo është ajo që apostulli Pal tha në letrat që u shkroi Romakëve 6:4 dhe Kolosianëve 2:12.

4 U varrosëm, pra, me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. 

12 të varrosur bashkë me të nëpërmjet pagëzimit, ju edhe u ringjallët bashkë në të, përmes besimit në veprueshmërinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish.

Prandaj, sa i përket pagëzimit në ujë, ka disa pasazhe biblike që mund të përmenden, por ne do t’i referohemi vetëm asaj që ndodhi me kishën në Samari, sipas Veprave të Apostujve, kapitulli 8–një pasazh që thekson këtë pagëzim duke e quajtur “në emër të Jezusit.” Përveç kësaj, aty përmendet edhe pagëzimi me Frymën e Shenjtë.

14 Dhe apostujt në Jeruzalem kur dëgjuan se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, u dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin. 15 të cilët, si zbritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë, 16 sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus. 17 Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata merrnin Frymën e Shenjtë. 18 Dhe Simoni, kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre para,

Së fundi, Bibla mëson se çdo besimtar duhet të pagëzohet në ujë, por vetë ky veprim nuk e pastron njeriun nga mëkati apo papastërtia e mishit. Megjithatë, personi zotohet të jetojë një jetë të drejtë përpara Perëndisë, përpiqet të ndryshojë dhe bën gjithçka që mundet për t’i pëlqyer Atij, që në këtë mënyrë, besimtari të ecë drejt një jete të re në përsosmëri përpara Perëndisë. Apostulli Pjetri e tha këtë në kapitullin 3 të letrës së tij të parë:

21 si kundërformë e kësaj, pagëzimi; na shpëton tani edhe ne, jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë ndaj Perëndisë, nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit,

Pagëzimi me Frymën e Shenjtë

Në Kishën e Zotit Ministrore të Jezu Krishtit Ndërkombëtare ne besojmë dhe gëzojmë begatisht këtë pëjetim nga Perëndia. Më shumë se 40 vjet më parë, themeluesit e kishës sonë e kuptuan dhe e kërkuan me sinqeritet, falë njohjes së mësimeve nga librat e Ungjijve, në të cilët gjendet premtimi i Zotit Jezu Krisht për Ngushëlluesin. Ata i kërkuan Atit t’u jepte këtë bekim të veçantë, i cili sot, siç u përmend më sipër, gjendet begatisht në Kishën tonë. 

kapitullin 14 të Ungjillit sipas Gjonit, gjendet ky premtim i Zotit Jezus:

16 Dhe unë do t'i lutem Atit dhe ai do t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,17 Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.

Ky pasazh kaq i bukur mund të lidhet në mënyrë të përkryer me atë që thotë Luka 11, kur ky i fundit i referohet mëshirës së Perëndisë për të dhënë bekimin e Frymës së Shenjtë besimtarëve që ia kërkojnë me zemër të sinqertë.

13 Nëse ju, pra, që jeni të ligj, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati në qiell do t'u japë Frymën e Shenjtë atyre që ia lypin''.

Fillimin e përmbushjes së këtyre fjalëve e gjejmë në Veprat e Apostujve, në kapitullin 2, kur Fryma e Shenjtë zbriti me fuqi dhe pati vegime me gjuhë si prej zjarri që uleshin mbi kokat e të 120 personave që ishin mbledhur në Sallën e Sipërme.

4 Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte atyre të shpreheshin.

Të folurit në gjuhë të tjera është shenja e marrjes së pagëzimit me Frymën e Shenjtë që na jep Zoti ynë Jezu Krisht. Megjithatë, në atë kohë kjo u shfaq në formën e gjuhëve të njohura në rajon, ndërsa shkrimet më tej tregojnë se kjo përvojë konsiston në të folurit në gjuhë engjëllore, të cilat ne nuk mund t’i kuptojmë.

Bibla na mëson rreth kësaj në 1 Korintasve 14:

2 sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por ai në frymë flet mistere.

Ose, siç tregohet në kapitullin 10 të Veprave të Apostujve, kur hebrenjtë panë me sytë e tyre se si ky bekim u përhap edhe mbi johebrenjtë dhe se si ata flisnin në gjuhë të tjera dhe lavdëronin Perëndinë.

44 Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Fryma e Shenjtë ra mbi të gjithë ata që po e dëgjonin fjalën. 45 Dhe të gjithë besimtarët që ishin të rrethprerë, të cilët kishin ardhur me Pjetrin, u mrekulluan që dhurata e Frymës se Shenjtë u derdh edhe mbi kombet, 46 sepse i dëgjonin duke folur gjuhë të tjera dhe duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri u përgjigj:

Madje, edhe më tej në kapitullin 19, kur Pali u predikoi 12 dishepujve që gjeti në Efes:

6 Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.

Gjithashtu, Shkrimet e Shenjta tregojnë qartë se jemi në ditët e fundit. Perëndia la premtimin e Tij të shkruar në Bibël që në të kaluarën, kur profeti Joel në kapitullin 2, siç u përmend edhe më parë, tha gjërat e mëposhtme drejtuar Kishës së Zotit:

28 "Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime. 29 Në ato ditë do të përhap Frymën tim edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret.

Dhuntitë Frymërore dhe Vënia e Duarve

Një nga karakteristikat kryesore të Kishës, siç e kemi përmendur, është udhëheqja nga Fryma e Shenjtë, shfaqja e Tij nëpërmjet dhuntive frymërore, e ndër to, në veçanti dhuntia e profecisë.

Duke pasur parasysh se ka shumë dhunti frymërore, dhe se ato përmenden në Dhjatën e Re në shumë pasazhe të Biblës, përmendim këtu vetëm disa shembuj, si ai në 1 Korintasve 12:

4 Ka larmi dhuntish, por është i njëjti Frymë. 5 Ka edhe larmi shërbimësh, por është i njëjti Zot. 6 Dhe ka larmi veprimtarish por është i njejti Perëndi i cili vepron të gjitha gjërat në të gjithë. 7 Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët. 8 Dikujt, pra, i jepet, fjalë urtësie me anë të Frymës; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie; 9 një tjetri besim në po atë Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, në po atë Frymë; 10 një tjetri pushtet për të kryer mrekulli të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat; një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. 11 Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë.

Lidhur me shërbimin ose ushtrimin e dhuntive frymërore, është e nevojshme të evidentohet ndër to vënia e duarve, dhunti përmes së cilës bëhen të dukshme dhunti të tjera. Vendosen duart për shërim, për çlirim, për të bërë mrekulli të fuqishme ose për të ndarë pagëzimin me Frymën e Shenjtë.

Apostulli Pali vuri në dukje vlerën e vënies së duarve, kur në letrën e parë që i shkroi Timoteut në kapitullin 4, e udhëzoi atë, duke na udhëzuar edhe ne sot:

14 Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga pleqësia.

Zoti ynë Jezu Krisht vuri duart, siç thuhet në librin e Mateut 19:

14 Por Jezusi tha: ''I lini fëmijët e vegjël dhe mos i ndaloni, sepse për të tillë është mbretëria e qiejve''. 15 Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.

Veprat e Apostujve në kapitullin 19 mësojnë gjithashtu rreth kësaj, por në lidhje me Apostullin Pal: 

6 Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.

Apostujt Pjetër dhe Gjon vepruan në të njëjtën mënyrë, në Veprat e Apostujve 8:

17 Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata merrnin Frymën e Shenjtë.

Më pas, në mënyrë të përsëritur dhe sistematike, Shkrimet e Shenjta tregojnë qartë ekzistencën, punën dhe bekimet që vijnë nëpërmjet dhuntisë së Vënies së Duarve.

Dhuntia e Profecisë

Ndër të gjitha dhuntitë frymërore, Shkrimi i Shenjtë është i qartë në veçimin e njërës prej tyre, dhuntinë e profecisë. Kjo bëhet plotësisht e qartë kur lexojmë vargjet e para të 1 Korintasve 14:

1 Kapuni pas dashurisë dhe kërkoni me zell të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos, që të mund të profetizoni, 2 sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por ai në frymë flet mistere. 3 Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim. 4 Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij, por ai që profetizon, ndërton kishën.

Ne gëzohemi dhe lumturohemi në Zot, sepse kemi praninë, dhe nëse mund ta themi kështu, begatinë e dhuntisë së profecisë në Kishë, vlefshmëria dhe vërtetësia e së cilës dëshmohet vazhdimisht jo vetëm për shkak të përmbushjes së premtimeve që Perëndia bën nëpërmjet kësaj dhuntie frymërore, por edhe nga frytet e mira që besimtarët japin, të cilat tregojnë se Krijuesi është ai që po shfaqet në jetën e tyre.

Është shumë domethënëse të shohësh mënyrën se si mësimi ose përshkrimi i Jezusit Nazareas në lidhje me veprën e Frymës së Shenjtë–kur Ai tregoi atë që Perëndia Atë dhe Perëndia Bir flasin dhe mendojnë për këtë–shfaqet përmes dhuntisë së profecisë në Kishë.

I referohemi në mënyrë të veçantë fjalëve të thëna prej Tij në librin e Gjonit kapitulli 16:

13 Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në të gjithë të vërtetën, sepse nuk do të flasë prej vetes, por do të flasë atë që do të dëgjojë dhe do t'ju kumtojë ato që do vijnë.

Vepra e Lavdishme e Frymës së Shenjtë nëpërmjet dhuntive frymërore është e pranishme në mënyrë të dukshme në gjithë Dhjatën e Re, megjithatë, ajo ende mbetet e panjohur për disa që mohojnë ekzistencën e saj në kohërat në të cilat jetojmë. 

Prandaj është e nevojshme të pyesim përse Zoti Jezus deklaroi se ndjekësit e Tij do të bënin vepra më të mëdha se ato të bëra prej Tij. Nëse Perëndia është i njëjti dhe është e njëjta Kishë, dhe nëse po mblidhemi në vendin ku Ai shfaqet, dhe nëse zemra jonë është e sinqertë dhe e duam me të vërtetë atë, atëherë është plotësisht logjike që të jetojmë sot, në këto kohë, ato që Bibla thotë lidhur me Kishën e Tij.

Ka të tjerë, që duke iu referuar asaj që shkrimi thotë në librin e Mateut 11, mohojnë faktin se Fryma e Shenjtë mund të shfaqet sot nëpërmjet dhuntisë së profecisë:

13 Sepse të gjithë profetët dhe ligji kanë profetizuar deri te Gjoni

Duke e interpretuar këtë varg në mënyrën si ata e bëjnë, ata nuk pranojnë dy gjëra. Së pari, ky varg i referohet profecive të dhëna lidhur me ardhjen e parë të Zotit tonë Jezu Krisht, i cili është Perëndi, por mori mish dhe banoi mes nesh. Kjo do të thotë se nuk do të kishte më profeci të reja lidhur me këtë ngjarje, pasi Gjoni Pagëzori ishte i fundit që profetizoi për këtë çështje.

Së dyti, Bibla në të vërtetë dëshmon në shumë pasazhe për ekzistencën e dhuntisë së profecisë në kishën e apostujve të parë, e cila erdhi pas Gjon Pagëzorit.

Një prej tyre gjendet në 1 të Korintasve, siç e kemi përmendur më parë, por gjithashtu edhe në Veprat e Apostujve në kapitullin 21:

8 Të nesërmen u nisëm (ne që ishim shokë me Palin), arritëm në Cezare dhe hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte një nga të shtatët, dhe ndenjëm tek ai. 9 Por ai kishte katër bija virgjëresha, që profetizonin.

Gjithashtu në librin e 1 të Timoteut 1:18:

Po ta besoj këtë porosi, o Timote bir, sipas profecive që u bënë më parë për ty, që sipas tyre të luftosh luftën e mirë,

Apo në 1 Thesalonikasve  5:20

Mos përbuzni profecitë.

Në dritën e Shkrimeve të Shenjta, është reale, e vlefshme dhe e qartë se dhuntia e profecisë ekziston në këtë kohë, në mes të Kishës. 

Ndryshimi i Jetës

Megjithatë, ashtu siç mësoi apostulli Pal në Korint, ka një udhë shumë më të lartë, që është udha e dashurisë. Por dashuria për të cilën ai po fliste duhet të kuptohet në tërësinë e saj, që do të thotë të bësh vullnetin e Perëndisë dhe të mos mëkatosh.

Le të kujtojmë se Zoti Jezus u tha dishepujve të Tij se do të quheshin miq të Perëndisë nëse bënin atë që Ai u kishte urdhëruar, në kapitullin 15 të Gjonit:

14 Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni çfarëdo që unë ju urdhëroj.

Ai tanimë u kishte mësuar rreth kësaj duke thënë në kapitullin 14, si vijon:

23 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Nëse ndokush më do, do ta mbajë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. 24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.

Kur kjo ndodh, kur një person e do Perëndinë ashtu siç Ai kërkon që ta duam, fillon të largohet nga mëkati, lind për një jetë të re, korrigjon gabimet e veta dhe jep fryte të denja për pendim.

Qëllimi i çdo besimtari është shpëtimi. Prandaj, ai ose ajo duhet të përpiqet të arrijë përsosmërinë dhe të jetojë një jetë të përkushtuar ndaj Perëndisë, pavarësisht të gjitha përgjegjësive personale që mund të ketë për të përmbushur. Nëse një person bën këtë, ai ose ajo do t’i pëlqejë Perëndisë.

Hebrenjve 12 e thotë këtë:

14 Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë,

Ashtu si edhe Psalmi 24 ka përcjellë të njëjtin mesazh që nga kohët e lashta, megjithëse duke përdorur fjalë të tjera:

3 Kush do t'i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? 4 Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t'u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme. 5 Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia i shpëtimit të tij. 6 I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi e Jakobit. (Sela)

Por ky ndryshim jete, kjo jetesë në përsosmëri, këto fryte të mira–për të cilat Zoti Jezus foli në Ungjij, pasi ato ndihmojnë në identifikimin e gjendjes së zemrës së secilit–janë gjëra që kërkohen nga çdo besimtar prej apostullit Pal në librin e Efesianëve 4:

13 derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një burrë i përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit,

Vargjet më tej në të njëjtin kapitull thonë:

22 që sa i përket sjelljes së mëparshme, të zhvishni njeriun e vjetër që prishet sipas epsheve mashtruese,

Gjithashtu në kapitullin 5:

1 Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij të dashur, 2 edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si blatë dhe flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.

E gjithë kjo, ashtu si shumë pasazhe të tjera biblike, arrijnë në të njëjtin përfundim: Çdo besimtar duhet të jetojë me drejtësi, në përsosmëri, për t’i pëlqyer Perëndisë dhe për të arritur shpëtimin.

Ringjallje dhe Jo Rimishërim

Së fundi, pasi besojmë në jetën e përjetshme dhe në shpëtimin që Zoti na jep, ne, në përputhje me atë që na mësojnë Shkrimet e Shenjta, e përjashtojmë ekzistencën e rimëshirimit.

Ashtu siç theksohet qartë në librin e Hebrenjve 9, ka vetëm një jetë në këtë tokë, një mundësi, dhe për rrjedhojë vetëm një vdekje fizike. Pasi kjo ndodh, do të gjykohemi. Disa do të dërgohen në jetën e përjetshme, të tjerët në vdekje të përjetshme, në dënim dhe konfuzion të përjetshëm.

27 Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin një herë, dhe më pas vjen gjyqi,

Po ashtu, për të përmbyllur këtë temë, është e nevojshme të theksohet se është shumë ndryshe fakti që Fryma e Perëndisë të shfaqet përmes dhuntive frymërore, nga të thënurit se shpirti i një qenieje njerëzore, pasi ka ndërruar jetë, mund të kthehet apo të ketë ndonjë ndërveprim me ata që janë ende gjallë në trup fizik.

Kjo e fundit, hipoteza e dytë nuk qëndron në dritën e Shkrimeve të Shenjta, pasi thuhet qartë se pas vdekjes, i ndjeri nuk ka më asnjë mundësi për t’u kthyer në këtë tokë për asnjë arsye. Prandaj, kur e lexojmë me kujdes përvojën Llazarit dhe të riut të pasur, në Luka 16, nuk na mbetet asnjë dyshim për këtë.

19 Por ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri të hollë dhe çdo ditë e kalonte shkëlqyeshëm. 20 Atje ishte edhe një i varfër, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të mahisura, 21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët. 22 Por ndodhi që i varfri vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. 23 Dhe në ferr, duke qënë në mundime, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij. 24 Atëherë ai bërtiti dhe tha: "O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë. 25 Por Abrahami tha: "O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, po ashtu Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet këtu dhe ti vuan. 26 Dhe, mbi të gjitha, midis nesh dhe jush është vendosur një humnerë e madhe, që ata që duan të kalojnë që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne" 27 Por ai i tha: "Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti, 28 sepse unë kam pesë vëllezër e le t'i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh". 29 Abrahami i thotë: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t'i dëgjojnë ata". 30 Por ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkonte tek ata, do të pendoheshin". 31 Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe nëse dikush ringjallet prej së vdekurish".

Madje, nëse do të ekzistonte ndonjë grimcë dyshimi, nuk do mund të anashkalohej ajo që thotë Bibla kur në Isaia 8 shprehet me të njëjtën qartësi, se të vdekurit nuk duhet të pyeten me shpresën se do t’u përgjigjen të gjallëve.

19 Në rast se ju thuhet: "Këshillohuni me mediumet dhe me magjistarët, që murmuritin dhe përshpëritin, përgjigjuni: "A nuk duhet një popull të këshillohet me Perëndinë e tij? A duhet, vallë, t'u drejtohet të vdekurve për llogari të të gjallëve?". 20 Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se në të nuk ka dritë.

Dhe ne, përkundrazi, jo vetëm që duam që drita të vijë mbi ne, por që drita jonë të shkëlqejë si në mesditë, ashtu siç thuhet në kapitullin 4 të Fjalëve të Urta:

18 Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më shumë deri sa të bëhet ditë e plotë.

Bekimi i Jetës së Përjetshme

Në përfundim, edhe pse në këto rreshta nuk kemi bërë asgjë ndryshe përveç se kemi trajtuar disa nga aspektet më themelore, bazat, qumështin shpirtëror nga i cili ushqehet Kisha, pa u ndalur në të gjitha gjërat dhe pa i analizuar me thellësinë që secila meriton, le të shërbejnë këto si një mundësi për t’iu referuar disa temave themelore.

Siç thotë Predikuesi te libri i Predikuesit 12:13: Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij; sepse kjo është tërësia e njeriut.”

Ashtu siç e kemi përmendur tanimë, nëse çdo besimtar vë në praktikë këto gjëra, dhe sidomos, nëse çdo besimtar e do Perëndinë me gjithë zemër, dhe rrjedhimisht, largohet vullnetarisht dhe në mënyrë të vetëdijshme nga çdo lloj mëkati, atëherë do të ketë lëruar arën drejt shpëtimit dhe jetës së përjetshme.

Prandaj, le të gëzojmë Veprën Shpenguese të Zotit tonë Jezu Krisht në Kishë; le të vërejmë përmbushjen e premtimit të bërë nga Biri, duke jetuar Veprën e Lavdishme të Frymës së Shenjtë në qeniet tona; le të jemi dëshmitarë të Ungjillit të plotë; dhe le të ecim në rrugën e sigurt drejt shpëtimit, drejt jetës së përjetshme, drejt qëllimit përfundimtar të besimtarit.